Ballina Aktualitet

Vrasja në Pogradec, Gjykata e Korçës: Prokuroria ka kërkuar akuzën “vrasje nga pakujdesia”

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Gjykata e Korçës ka reaguar për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, pas caktimit të masës së sigurisë “Arrest me burg” për autorin Denis Meçen për akuzën “Vrasje nga pakujdesia”.

Gjykata sqaron se, gjyqtari nuk mund të caktojë një masë sigurie më të rëndë se ajo që kërkon organi i akuzës. Sipas Gjykatës së Korçës, gjyqtari ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë deri në këtë fazë të hetimit dhe ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Korçës nënvizon se në këtë fazë të hetimit, gjyqtari nuk mund të bëjë ndryshim të veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

Në reagimin e Gjykatës së Korçës thuhet se, “Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, nisur nga rëndësia e ngjarjes dhe duke marrë shkas nga publikimet në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe nga lajmet e publikuara në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Pogradecit, në të cilën ka humbur jetën shtetasi Eglantin Proga, bën me dije sa më poshtë: Në datë 12 gusht 2024, ora 15:30, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë është paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj shtetasit D. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasve V. Sh, A. M dhe L.G si të dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit””.

Gjykata shton se, pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

“Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale. Për këtë arsye, nxjerrja e përfundimeve në këtë fazë fillestare të hetimeve, nuk i shërben vijimit të tyre dhe as besimit të opinionit publik mbi punën organeve të sistemit të drejtësisë”, thekson Gjykata.

“Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vëren me shqetësim disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast”, thuhet në reagim.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdalohet 43-vjeçari, tentoi kalimin e kufirit me 29 850 euro të padeklaruara
Artikulli tjetërMeta: Sterjo Spasse, personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë dhe kulturës