Ballina Ekonomi

Oraret e linjave të autobusëve ndërqytetës në Shqipëri integrohen me Google Maps

TIRANË 6 gusht /ATSH/ Të gjitha oraret e linjave të autobusëve ndërqytetës në Shqipëri janë integruar tashmë me Google Maps, duke shtuar edhe një mjet më shumë në ndihmë të zhvillimit të turizmit në vend.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot postimin e zyrës së Bashkëpunimit gjerman në Shqipëri, GIZ, ku theksohet se, kjo është një arritje e madhe për transportin publik shqiptar.

Kjo u arrit falë përpjekjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe mbështetjes së GIZ Shqipëri.

Informacioni i transportit publik në të gjithë Shqipërinë është tashmë në përputhje me GTFS, një standard global i të dhënave.

GIZ falënderon të gjithë partnerët dhe kontribuuesit që bënë të mundur këtë arritje të rëndësishme.

“Së bashku, ne po përmirësojmë shërbimet publike dhe po ecim drejt një të ardhmeje më të lidhur dhe të qëndrueshme në Shqipëri”, thuhet në postimin e GIZ Shqipëri.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Hatixhja dhe Shabani”, nisin xhirimet e filmit me regji të Visar Morinës
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE miraton ndihmën financiare për Ukrainën me vlerë 4,2 miliardë euro