TIRANË, 25 korrik /ATSH/ 20 vatra zjarri janë shuar në 24 orët e fundit, falë përpjekjeve të pandërprera të forcave operacionale në disa zona të territorit të vendit.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njoftoi sot se, 2 vatra zjarri mbeten ende aktive.
Problematike është situata në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë, ku terreni i vështirë ka penguar punën, duke bërë që zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra të riaktivizohet. Operacioni vijon me forcat dhe mjetet e bashkisë Tropojë dhe Has.
Gjithashtu, vijon edhe sot operacioni për shuarjen e zjarrit në fshatin Malecaj, bashkia Lezhë. 50 efektivë të FA i janë bashkuar operacionit në këtë zonë, duke shmangur rrezikun ndaj shtëpive të fshatit.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile shpreh mirënjohje të gjithë efektivëve për punën dhe sakrificën që bëjnë çdo ditë në shërbim të komunitetit.























