DUBLIN, 13 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri irlandez Simon Harris përqafoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ndërsa mbërriti në Irlandë për një takim dypalësh.
Ky është takimi i tyre i parë dypalësh në tokën irlandeze – i cili do të fokusohet në pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia.
Zelensky mbërriti në aeroportin “Shannon” në County Clare në perëndim të vendit në mesditë dhe përqafoi udhëheqësin irlandez pasi zbriti shkallët e avionit të tij shtetëror.
Udhëheqësit gjithashtu shtrënguan duart ndërsa ambasadorja e Ukrainës në Irlandë Larysa Gerasko ishte gjithashtu e pranishme.
“Së pari, faleminderit shumë për mbështetjen tuaj, falë Irlandës që priti shumë refugjatë ukrainas, ju ishit me ne që nga fillimi i pushtimit rus”, tha Zelensky për gazetarët.
Harris shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e luftës – duke përfshirë bombardimin e spitalit më të madh të fëmijëve në Ukrainë, në fillim të kësaj jave.
Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë të Irlandës për kërkesën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE.
Harris, i cili u bë kryeministër në prill, ofroi ndihmë të mëtejshme për mijëra fëmijë ukrainas të zhvendosur me forcë në Rusi dhe Bjellorusi dhe që kishin hyrë në programet ruse të riedukimit që nga fillimi i luftës.
Ai konfirmoi anëtarësimin e Irlandës në një koalicion ndërkombëtar për kthimin e rreth 20 000 fëmijëve.
Të dy krerët u takuan për herë të fundit në “Samitin e Paqes për Ukrainën” në Zvicër në qershor.
Irlanda ka ofruar 250 milionë euro ndihmë ushtarake ‘jo-vdekjeprurëse’ për Ukrainën në kuadër të mekanizmit të financimit të BE-së “Instrumenti Evropian i Paqes” (EPF) dhe vendi ka mirëpritur mbi 108 000 ukrainas sipas Direktivës së BE-së për Mbrojtjen e Përkohshme.
Anëtarët e Forcave të Mbrojtjes Irlandeze kanë trajnuar 455 personel ukrainas në çminimin, kujdesin ndaj viktimave në fushën e betejës dhe përdorimin e pajisjeve jo-vdekjeprurëse dhe pastrimin e minave. //a.i/























