Ballina Bota

TEKSAS – Shtatë viktima dhe miliona familje pa energji elektrike, pas kalimit të uraganit Beryl

UASHINGTON, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Shtatë persona kanë vdekur në Teksas pasi stuhia tropikale Beryl vazhdon të lëvizë nëpër shtet, tha kryebashkiaku i Hjustonit, ndërsa miliona banorë mbetën pa energji elektrike.

Sipas operatorit, ka të ngjarë të duhen disa ditë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike.

”Rreth 2-3 milionë familje janë të prekura”, tha kryetari i kompanisë.

Ndërkohë, një tornado në kontenë Jasper, në kufi me shtetin e Luizianës, shkatërroi rreth 30 shtëpi.

Beryl mbërriti si një uragan pranë qytetit Teksan të Matagorda rreth 130 kilometra në jugperëndim të Hjustonit, herët të hënën në mëngjes, por që atëherë ka humbur fuqinë.

Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së lëshoi ​​paralajmërime për disa pjesë të Teksasit dhe Luizianës për tornado të mëtejshme, përmbytje dhe erëra të forta.

Meteorologët thonë se ekziston një rrezik i vazhdueshëm i stuhive kërcënuese për jetën përgjatë bregut të Gjirit.

Meteorologët parashikojnë se Beryl do të vazhdojë të lëvizë në drejtim të verilindjes në ditët në vijim ndërsa do të dobësohet më tej.

Beryl u formua në Atlantik në fund të qershorit dhe u forcua shpejt në një uragan të madh përpara se të zbriste në Karaibe juglindore më 1 korrik.

Stuhia pati një erë me shpejtësi 251 km/h./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakErmonela Jaho rikthehet me koncert në TKOB
Artikulli tjetërZjarri në Frashtan, arrestohet autori i dyshuar