Ballina Ekonomi

Denaj: Rikonstruktohet hidrovori i Akernisë, elektropomat prej 40 vitesh zëvendësohen me ato të gjeneratës së fundit

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Elektropomat e vjetra të hidrovorit të Akernisë, që prej 40 vitesh, e kishin humbur ndjeshëm kapacitetin e largimit të ujit, janë zëvendësuar me elektromekanikën e gjeneratës së fundit që do të garantojë kullimin e rreth 4600 ha tokë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ishte sot në Akernisë, e shoqëruar nga kreu i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, bëri të ditur se ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i hidrovorit, me vlerë rreth 150 milionë lekë.

“Përfundon rikonstruksioni i plotë i hidrovorit të Akernisë, me vlerë rreth 150 milion lekë, ku elektropomat e vjetra prej 40 vitesh, që kishin humbur ndjeshëm kapacitetin e largimit të ujit, janë zëvendësuar me elektromekanikën e gjeneratës së fundit që do të garantojë kullimin e rreth 4600 ha tokë, duke i shërbyer tokës bujqësore, por edhe gjithë infrastrukturës shumë bashkëkohore që po ndërtohet, sidomos me aeroportin e Vlorës”, deklaroi ministrja Denaj.

Sipas saj, teknologjia e re e pompave kursen deri në 50 mijë lekë për metër kub ujë, duke e bërë hidrovorin më efikas dhe ekonomik.

“Ky investim është një tjetër hap përpara në përmirësimin e sistemeve të hidrovoreve në Shqipëri, duke ndihmuar zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e kushteve për komunitetin”, tha Denaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Politika britanike akuzon Farage për mbështetje të Putinit
Artikulli tjetërShqipëri-Kosovë, konsultime në fushën e diplomacisë dhe diasporës