Ballina Flash

Kurti: Problemin e kemi me Beogradin, jo me serbët e Kosovës

PRISHTINË, 11 qershor /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka problem me serbët e Kosovës, por me Qeverinë e Serbisë.

Duke folur në samitin “The Western Balkans 2024”, të martën në Prishtinë, Kurti tha se integrimi i serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, është çështje parësore për të.

“Problemi që kemi, nuk ka të bëjë me serbët. Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes”, tha Kurti, duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Serbët në veri të Kosovës, të ndikuar nga Beogradi dhe strukturat e tij paralele në Kosovë, kundërshtojnë vazhdimisht autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Shpesh organizojnë protesta ose bojoktojnë vendimet e autoriteteve kosovare.

Në nëntor të vitit 2022, ata dolën nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Kurti tha të marën se Kosova po bën tashmë konvertimin e patenshoferëve, diplomave e targave të makinave, si hapa për integrimin e komunitetit serb.

Por, Qeveria e tij është nën presionin e ndërkombëtarëve për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u dakorduan qysh në vitin 2013.

Marrëveshja mes tyre u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk e zbatoi marrëveshjen nga frika se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Serbia, e cila e konsideron Kosovën ende pjesë të veten, nuk ka zbatuar ngjashëm një varg marrëveshjesh me Kosovën. /REL/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjedhjet e 14 Majit, Celibashi: 44 kandidatë u dërguan për verifikim në Prokurori
Artikulli tjetërRama: Rehabilitimi i sistemit kullues në Levan, sezon të mbarë mbjelljesh të fermerëve