Ballina Aktualitet

KAS lë në fuqi sanksionet e Komisionerit për partitë politike

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve la sot në fuqi sanksionet e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për disa parti politike.

KAS shqyrtoi kërkesat ankimore nr. 5, depozituar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, nr. 6,  depozituar nga Partia Ardhmëria Shqiptare dhe nr. 7, depozituar nga Partia Bindja Demokratike, të cilat kishin si objekt “Kundërshtim i vendimit nr. 38, datë 09.04.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e raportit mbi gjetjet nga auditimi i raporteve financiare të partive politike për të ardhurat dhe shpenzimet për vitin kalendarik 2022”.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr. 5 duke lënë në fuqi sanksionin e vendosur me vendimin nr. 38/2024 të KSHZ dhe rrëzimin e kërkesave ankimore nr. 6 të Partisë Ardhmëria Shqiptare dhe nr. 7 të Partisë Bindja Demokratike dhe lënien në fuqi të vendimit të nr. 38/2024 të KSHZ për këto subjekte.

Gjithashtu, KAS shqyrtoi kërkesën nr. 1, të Komisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosjen e sanksioneve administrative për anëtarët e grupeve të numërimit, në zbatim të vendimit nr. 48, datë 16.05.2024, “Për miratimin e raportit mbi gjetjet kyçe të procesit të këqyrjes paszgjedhore të fletëve të votimit, materialit zgjedhor dhe pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik (PEVN) të përdorura në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2024 dhe për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Kukës, të datës 24.09.2023”.

KAS, duke vlerësuar kompleksitetin e rasteve në shqyrtim, do të shpallë vendimin në seancën e datës 28.06.2024, në orën 11:00.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama në lagjen e rindërtuar në Laç: 375 familje në shtëpi të reja
Artikulli tjetërPirdeni: Rritje të pagave nga 16-46% për punonjësit e administratës publike në 2023