Ballina Flash

Kosovë, ndahen çmimet për artin pamor

TIRANË, 31 maj/ATSH/ U ndanë sot në Kosovë çmimet për Veprimtari Jetësore dhe për Arritjet në Fushën e Artit Pamor.

Në Ministrinë e Kulturës u mbajt ceremonia për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimi Vjetor për Arritjet në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bazuar në vlerësimin e Komisionit Vlerësues, Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore ia dha (post-mortem) piktores Alije Vokshi dhe Çmimin Vjetor për Arritjet në Fushën e Artit Pamor për piktorin Esat Valla.

Alije Vokshi është gruaja e parë e diplomuar në pikturë, duke u bërë një ndër pioneret e artit pamor në Kosovë, ndërsa Esat Valla është i njohur për pikturat e tij surreale. Çmimin post-mortem dhe mirënjohjen për piktoren Alije Vokshi e pranoi vajza e saj, Visare Selimaj.

Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për arritjet profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e tyre në përparimin e artit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTotali i aktiveve në sektorin bankar u rrit me 6.1%
Artikulli tjetërPr/ligj për Dhomën Ekonomike Kombëtare, Ibrahimaj vijon takimet me përfaqësuesit e biznesit