TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, njëkohësisht nënkryetar i PD-së, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i Kuvendit dhe nënkryetar i PD, Agron Gjekmarkaj po zhvillojnë një vizitë në Gjermani.
Ata kanë zhvilluar një takim në Bundestag me kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Michael Roth.
Bardhi thekson në një postim në rrjetet sociale se, “autoritarizmi i qeverisë së Edi Ramës, cenimi i standarteve minimale për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe mungesa e progresit për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR përmes Reformës Zgjedhore, e bëjnë të ngjashme situatën në Shqipëri, me atë në Serbi apo Gjeorgji”.
Për këtë arsye, ka theksuar Bardhi në takim, “kjo bën të nevojshme që Shqipëria të garantojë balancën mes pushteteve, të përmbyllë menjëherë Reformën Zgjedhore dhe të garantojë që zgjedhjet e ardhshme të mbahen me rregulla të barabarta loje të dakordësuara mes të gjitha palëve”.
Më herët, Bardhi dhe Gjekmarkaj janë takuar me kryetarin dhe nënkryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri- Gjermani në Bundestag Josip Juratoviç dhe Tomas Haker.
Bardhi theksoi se i shprehu mirënjohjen e thellë për rolin që Bundestagu ka patur ndër vite në progresin e demokracisë në Shqipëri dhe ripërsërita nevojën për më shumë vëmendje, si dhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve tona.
“Gjermania, ka qenë dhe mbetet, një partner kyç në rrugën evropiane të Shqipërisë”, nënvizoi Bardhi.























