TIRANË, 9 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një postim në rrjetet sociale ka përshëndetur dy operacionet policore kundër narkotikëve të zhvilluara sot nga forcat e rendit dhe sigurisë në Shkodër dhe Tiranë.
Balla u shpreh sot se viti 2024 duhet të jetë viti i goditjes më të madhe ndaj fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.
“Çdo drejtori vendore e Policisë së Shtetit e ka të qartë se viti 2024 duhet të shënojë goditjen përfundimtare ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit. Përpjekjet e grupeve apo individëve kriminalë duhet të bllokohen me çdo kusht dhe personat përgjegjës të vendosen para drejtësisë. Përgëzime Drejtorisë së Policisë Shkodër dhe Tiranë për rezultatet e 24 orëve të fundit”, tha Balla.
Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka finalizuar operacionin “Seeds”, nga ku arrestoi 1 person dhe sekuestroi 1000 fara kanabisi. Policia bën të ditur se u vu në pranga shtetasin K. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, të cilit nga kontrolli fizik i kryer në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, iu gjetën 1000 fara kanabisi, të cilat i posedonte për t’i shitur, me qëllim kultivimin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Më herët, Policia e Tiranës njoftoi se “Komisariati i Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën policore, ka finalizuar operacionin e koduar “Monitorimi”. Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. S., 55 vjeç, dhe M. M., 23 vjeç, të dy banues në Mukje, Krujë”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në dy parcela në pyllin e fshatit Mukje, Krujë. Gjatë kontrollit në këto parcela, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 130 bimë të dyshuara narkotike cannabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një krehër arme dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
/a.f/























