Ballina Flash

Rezoluta e PS-së, Bardhi: Do shikojmë objektin, pro çdo nisme për integrimin evropian

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se Partia Demokratike është pro çdo nisme sa i takon interesit strategjik për integrimin e Shqipërisë në BE.

Bardhi, gjatë një komunikimi me gazetarët, tha se lidhur me propozimin e Partisë Socialiste për projektrezolutën më mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, qëndrimi i Partisë Demokratike do të jetë i plotë vetëm pasi kjo nismë të jetë pjesë e axhendës së Kuvendit.

“Kur të jetë pjesë e axhendës së parlamentit, pa diskutim që do keni përgjigje. Ne nuk kemi bërë kurrë politikë me të ardhmen evropiane të qytetarëve shqiptarë. Do japim kontributin tonë, që Shqipëria të anëtarësohet në BE. Me Edi Ramën dhe me qeverinë e tij, ky proces vetëm sa pengohet dhe vetëm sa zgjatet”, tha Bardhi.

Bardhi u shpreh se PD fillimisht duhet të shikojë objektin e këtij komisioni.

“Ne nuk e dimë çfarë është komisioni i posaçëm, s’mund të përgjigjem për një gjë që nuk është në procedura parlamentare. Duhet të shikojmë objektin e këtij komisioni, nuk mund të hamendësoj se çfarë do jetë detyra e këtij komisioni. Preferova të mos kem një koment. Qëndrimi ynë është që mbështesim çdo çështje që lidhet me integrimin europian të vendit”, tha Bardhi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoçiu: Procesi i dezinsektimit në Durrës ka rezultuar i suksesshëm
Artikulli tjetërFOKUS – Von der Leyen: AfD parti zjarrvënëse në shtëpinë tonë të përbashkët evropiane