Ballina Aktualitet

Balla: T’i shkohet deri në fund hetimeve për tragjedinë në Shkodër

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha sot se “fatkeqësisht dyshimet tona për ngjarjen e rëndë dhe shumë të trishtueshme në Shkodër u konfirmuan me gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijëve”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla theksoi se “tani duhet t’i shkohet deri në fund hetimit të plotë të rrethanave, shkaqeve dhe fajësisë së kësaj ngjarjeje të rëndë. Gjykata e Shkodrës ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e bashkëshortit nga Policia e Shtetit, e cila ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik”.

Ministri Balla i bëri thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune.

“Edhe pse kanë bërë detyrën dua t’i falënderoj palombarët e RENEA-s dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike për angazhimin e tyre. Sapo kam falënderuar kolegun Danilo Šaranović, ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, për angazhimin efektiv të forcave të tyre policore gjatë kërkimit. Mirënjohje edhe banorëve dhe peshkatarëve të zonës për angazhimin e tyre në këto dy ditë të vështira”.

Pas kërkimeve intensive përgjatë rrjedhës së lumit të Bunës u gjetën sot edhe trupat e Alma Arrazit dhe djalit 3-vjeçar. Po ashtu janë gjetur trupat e pajetë të dy vajzave që u mbytën së bashku me nënën e tyre pasi u hodhën nga ura mbi Bunë.

Tragjedia në Shkodër ndodhi 5 ditë më parë kur nëna 39-vjeçare Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj u raportuan të humbur nga bashkëshorti. Më pas Policia konfirmoi se ata ishin vetëhedhur në Bunë, ndërsa arrestoi bashkëshortin e saj, Erdgys Arrazi.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Vaksinë e re për pandemitë e ardhshme
Artikulli tjetërBalluku dhe Manastirliu në Korçë: Masa për sigurinë e instalimeve elektrike në shkolla