Ballina Flash

Stano: Masat ndaj Kosovës hiqen kur vendos BE-ja dhe jo kur do Kurti

PRISHTINË, 2 maj /ATSH/ Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka komentuar sot deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se shteti i Kosovës i ka përmbushur të gjitha kërkesat për heqjen e sanksioneve.

Stano, në një konferencë për media, tha se masat ndaj Kosovës janë duke vazhduar dhe se ato do të hiqen kur vendet anëtare të BE-së vendosin, dhe se një gjë e tillë nuk iu takon politikanëve të Kosovës.

“Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Mund vetëm të konfirmoj se diskutimet ende po vazhdojnë dhe rikujtoj se masat nuk janë hequr”, tha Stano.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin pezullimin e përkohshëm të grupeve të punës për MSA, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Paraanëtarësimit).

Zëdhënësi i BE-së ka folur edhe rreth marrëveshjes për personat e pagjetur gjatë kohës së luftës në Kosovë, për të cilën tha se nuk ka progres dhe se iu takon palëve që të ndërmarrin veprime në këtë drejtim.

Janë rreth 1600 persona që konsiderohen të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të hapë rrugë për drejtësi. Sipas saj, prioritet i qeverisë mbetet padia për gjenocid nga Serbia. Ajo shton se kanë pasur disa takime me ekspertë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBE: Masat ndaj Kosovës do të jenë në fuqi derisa të mos ketë arsye për to
Artikulli tjetërGJERMANI – Numri i lindjeve në nivelin më të ulët që nga 2013-a