TIRANË, 4 prill/ATSH/- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe kreu i grupit parlamentar të “Rithemelimit”, Gazment Bardhi kanë debatuar sot në Kuvend lidhur me dosjen “Xibraka”.
Bardhi tha se Olsi Rama është i përfshirë në dosjen për laboratorin e “Xibrakës” e cila fle prej disa vitesh në Prokurori dhe kërkoi interpelancë me kryeministrin Rama që të përgjigjej lidhur me këtë çështje.
“Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS”, tha ai.
Më tej Bardhi pyeti se: “pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale”.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i tha Bardhir që të pyesë Sali Berishën se kush është 45-vjeçari i përmendur në dosje, që demokratët pretendojnë se është vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Ai deklaroi se Berisha e di fare mirë që nuk është Olsi Rama, por një person i lidhur me një deputet të Partisë Demokratike.
“Ata që kanë qenë këtu e dinë fare mirë kush është ai bruni flokëshkurtër 45-vjeçar. E di ti fare mirë. Shko pyet Saliun. Shko sot poshtë atje ballkonit. Edhe thuaji Sali kush është ai. Saliu e di kush është ai, se Saliu e ka thënë këtu në këtë sallë kush është. Është një i lidhur me një deputet të partisë tënde. Këtë gjë e dinit, pse u kthyer ju pas 9 vitesh tek kjo fabul. Ju e dini fare mirë që nuk është Olsi Rama. Është hetuar për këtë gjë. Pyetja që shtrohet është kush po ju paguan ju ta riktheni këtë çështje”, deklaroi ministri Balla.
Gjithashtu, Balla rikujtoi se “në janar 2015 policia bëri një operacion ku u zbulua edhe një laborator i përpunimit dhe prodhimit të kokainës. Atë ditë pasdite në PD, në godinën e SHQUP-it, njëri prej folësve të PD-së, asokohe deputet, u thirr me urgjencë me urdhër të pronarit të SHQUP, u thirr të deklaronte se fabrika në Xibrakë ishte e Taulant Ballës. Deputeti i shkruan pronarit të SHQUP-it dhe i thotë: “Doktor, Taulanti është në Mirakë, në Librazhd, Xibraka është në Elbasan”. “Njërin nga Partia e Edi Ramës ne duhet ta fajësojmë për këtë laborator”. Ky diskutim vazhdon për disa minuta dhe pastaj del PD në konferencën për shtyp dhe akuzon, Edi Ramën, Taulant Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli përpara”.
“ Ju e dini shumë mirë se kush është ai bruni flokë shkurtër 45 vjeçar që s’ka asnjë lidhje as me Edi Ramën, as me PS-në. Shkoni pyesni Saliun. E ka thënë këtu në këtë sallë kush është, është një i lidhur me një deputet të partisë suaj. Pse u kthyet ju pas 9 vitesh te kjo fabul. Ju e dini fare mirë që nuk është Olsi Rama, është hetuar për këtë gjë. Pyetja që shtrohet është “kush po iu paguan ju ta riktheni këtë çështje?”. Si Ministër i Brendshëm më takon të hetoj se si ka mundësi që politika juaj nuk ka vendosur ende mend të shpërdorohet nga interesa ekonomike dhe financiare. Meqenëse ju keni besim te SPAK, pse nuk keni besim ta hetojë edhe këtë çështje. Të takon për detyrën që mban”, u shpreh Balla duke iu drejtuar Bardhit.






















