Ballina Aktualitet

Rama ndan fotoalbumin e inaugurimit të Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e sotme fotoalbumin e hapjes së Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Rama e cilësoi qendrën një faqe të re të modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por edhe i qeverisjes, duke shërbyer si mbështetje edhe për sektorin privat.

“Shumë shpejt do të kemi edhe produktet e para inovative nga qendra e re që do të jetë një model frymëzues edhe për të rinjtë”, tha Rama.

Qendra e re e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes shënoi me hapjen e saj një epokë të re të zhvillimit teknologjik dhe modernizimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kjo qendër, e cila u inaugurua sot i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-ve.

Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen  kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDervishi: Proces model i konsultimit publik për ligjin për të drejtën e informimit
Artikulli tjetërParku natyror “Korab-Koritnik”, shenjim shtegut drejt Ujëvarës së Beles