Ballina Aktualitet

Tensionet në Këshillin Bashkiak, Braçe: Himara bashki shqiptare, Tavo i pranishëm si zyrtar i shtetit

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe reagoi sot për ngjarjen e ndodhur gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak të Himarës, ku mbështetësit e Fredi Belerit tentuan të bllokonin mbledhjen duke kërkuar largimin e prefektit Tavo, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur konfliktin fizik.

Braçe theksoi se Himara është bashki shqiptare dhe Tavo ishte i pranishëm në mbledhje si zyrtar i shtetit.

“Vangjel Tavo nuk ishte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak si qytetar i zakonshëm, por ishte atje si prefekti i qarkut të Vlorës nën juridiksionin e të cilit është edhe bashkia shqiptare e Himarës, pra si përfaqësues i qeverisë dhe shtetit shqiptar. Ky horri i rrugës pjesë në atë sallë, i cili pështyn zyrtarin e shtetit shqiptar duhet të marrë një përgjigje shembullore siç ligji e parashikon për një akt të tillë ofensiv e fyes, poshtërues”, theksoi Braçe.

Braçe vuri në dukje se “agjencitë ligjzbatuese të këtij shteti, ose të bëjnë detyrën ligjore, ose të tërhiqen nga ai territor ku horrat si puna e këtij që pështyn zyrtarin e shtetit, duket se kanë fituar imunitet se i mbron Greqia. Kjo histori ku këta plehra fyejnë shtetin shqiptar e çdo zyrtar përfaqësues të tij, duhet të marrë fund me ligj, tani”.

Këshilli Bashkiak i Himarës komandoi në mbledhjen sotme Blerina Balën kryetare të bashkisë Himarë, deri në zgjedhje të reja, pasi dy kryetarët, ai i zgjedhuri Fredi Beleri dhe ai në detyrë, Jorgo Goro janë në burg.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcohet leku, monedhat e huaja humbasin terren
Artikulli tjetërNisma ligjvënëse për ndryshime në Kodin Zgjedhor, miratohet fleta tip e nënshkrimeve