TIRANË, 28 mars /ATSH/ Ministri i Financave, Ervin Mete, deklaroi se ekonomia shqiptare po vijon trendin e rritjes.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ai solli në vëmendje rritjen e vlerësimit të Shqipërisë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard&Poor’s, vlerësim që certifikon momentin e mirë ekonomik të vendit, ndikon në reputacionin e tij dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare, në koston kreditimit dhe aksesin në financë, si edhe në tregun e brendshëm sa i përket kreditimit.
“Është certifikim i një trendi dhe ecurie afatgjatë që, duke parë tani edhe shifrat e fundit të investimeve të huaja, që praktikisht janë shifra rekord, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit, japin besimin që ky trend pozitiv dhe ky konsolidim i financave publike, më tej qëndrueshmëria e këtij trendi, do të vazhdojë”, u shpreh ministri.
Sipas ministrit, është e rëndësishme momenti i mirë ekonomik që po kalon vendi të përkthehet në mbështetje të shtuar për sektorët e ekonomisë dhe për shtresa të caktuara, për një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, ministri tha se rritja e mëtejshme e pagave që pritet të ndodhë së shpejti i përgjigjet pikërisht këtij synimi, ashtu si edhe lehtësitë fiskale që po diskutohen për disa nga kategoritë e të punësuarve.























