Ballina Aktualitet

Bardhi me strukturat në Kavajë: Qëndresa juaj ishte frymëzimi që të bëhemi bashkë

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me demokratë të Kavajës.

Në përkujtim edhe të 26 marsit 1990, demonstratës së parë antikomuniste, Bardhi tha se kjo ditë duhet të shërbejë si një moment ku qytetarët e ndershëm në gjithë Shqipërinë, të bëhen bashkë, të mospajtohen me padrejtësinë dhe keqqeverisjen 12-vjeçare të Edi Ramës dhe të sjellin ndryshimin, njëlloj si 34 vjet më parë.

“Edhe pas 33 vitesh, Kavaja i dha leksion Partisë Demokratike, dhe na tregoi të gjithëve se cila është rruga që duhet të ndjekim drejt 2025. Unë nuk do të shpall fitoren sot këtu, por kam bindjen se po të bëjmë atë që bëtë ju në Kavajë, që nuk u nënshtruat, reaguat, u përballët, kishit alternativën dhe ekipin e duhur, duke treguar vlera, ne do të mund të realizojmë atë që s’e realizuam dot në vitin 2021, të garantojmë fundin e keqqeverisjes së Edi Ramës dhe garantimin e rotacionit që ka nevojë Shqipëria.”

“Kavaja në vitet e fundit, – tha Gazment Bardhi, – ishte leksion i qëndresës dhe shembullit se si mundet e keqja.”

“Në 14 maj të një viti më parë, ju kishit moralin, ndërsa përballë kishit antimoralin, siç është kryetari i bashkisë Tiranës, Erion Veliaj. Dhatë leksionin e qëndresës, por edhe leksionin se vetëm të bashkuar mund të fitojmë.”

Bardhi, tha se janë qytetaret ata që shumë më shumë se deputetët, që po e vuajnë keqqeverisjen e Ramës.

“Nuk kam ndërmend t’ju flas ju se sa keq qeveris Edi Rama, sepse ju jeni ata që më shumë se ne e vuani keqqeverisjen. Madje në vitet e fundit ne ua kemi shtuar vuajtjen me gabimet tona. Prandaj, ne ju detyrohemi një ndjesë të sinqertë, dhe krahas kësaj kemi për detyrë të krijojmë rrugën se si Partia Demokratike, do duhet të kthehet në pushtet.”

Gjatë fjalës së tij Bardhi u ndal edhe në çështjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, për të cilin grupi parlamentar i PD pretendon se është në konflikt interesi.

“Ish-ministrja e Jashtme, deputetja e PS Olta Xhaçka bën burrin investitor strategjik, grabit 10 mijë m2 tokë për të ndërtuar në resort, por sot nuk është as në burg, as i hiqet mandati i deputetit, sepse kështu vendos Edi Rama, sepse ajo është bashkëpunëtore e Edi Ramës. Ndërsa ndaj opozitës shkelet Kushtetuta, ndaj grabitësve të qeverisë, bëhet mbrojtje politike, shkelet Kushtetuta, nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky është modeli që na ofron qeverisja e Edi Ramës”, tha Bardhi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Florida kufizon qasjen e fëmijëve në median sociale
Artikulli tjetërKlosi, takim me përfaqësues të fondacionit “Westminster për Demokraci”