TIRANË, 23 mars/ATSH/ Policia Rrugore e Korçës gjatë kësaj jave ka arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë për veprat penale, ndërsa ka vendosur 1036 gjoba.
Përmes një njoftimi për mediet, Policia Rrugore e Korçës bën të ditur se vijon intensivisht kontrollet në të gjitha akset rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, duke ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që bëhen rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
“Në kuadër të Plan-Operacionit ROADPOL, për konstatimin, verifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin celular gjatë drejtimit të mjetit, janë vendosur 64 masa administrative. Gjithashtu gjatë kësaj jave: janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik””, njofton Policia e Korçës.
“Me qëllim parandalimin e aksidenteve, rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, Policia Rrugore ka vijuar monitorimin e akseve rrugore në të gjithë qarkun, me qëllim konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të Kodit Rrugor. Janë ndëshkuar administrativisht, në total 1036 drejtues mjetesh dhe konkretisht: Janë ndëshkuar 125 drejtues mjetesh për parkime të gabuara; 29 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit; 815 drejtues janë ndëshkuar për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. 3 leje drejtimi të pezulluara.
Policia e Rrugore e DVP Korçë apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të kallëzojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.”, përfundon njoftimi i Policisë së Korçës.
/r.e/





















