Ballina Flash

Filmi fitues i çmimit Oscar, “20 Ditë në Mariupol” do të shfaqet në COD

TIRANË, 19 mars/ATSH/ “20 Ditë në Mariupol”, fitues i çmimit Oscar si “Dokumentari më i mirë”, vjen për herë të parë në Shqipëri, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në kuadër të ekspozitës “Ukraina: Një krim lufte”.

Historia nis kur videoreporteri Mstyslav Chernov, fotografi Evgeniy Maloletka dhe producentja Vasilisa Stepanenko mbërritën një orë përpara se Rusia të fillonte bombardimin e qytetit-port të Mariupolit. Ndërkohë që dy javë më vonë, ky grup ishin gazetarët e vetëm që raportonin në terren për një media ndërkombëtare, duke i përcjellë botës imazhe dhe mesazhe të forta mbi pasojat e agresionit të ushtrisë ruse në Mariupol.

Filmi dokumentar vjen në kuadër të Ekspozitës “Ukraina: Një Krim Lufte“ mundësuar nga Open Society Foundatios Western Balkans dhe FotoEvidence.

COD njoftoi se, i pranishëm në këtë premierë, do të jetë Evgeniy Maloletka, fotografi i dokumentarit, i cili do të sjellë historinë e tij prej 20 ditësh në Mariupol, por dhe suksesin e këtij dokumentari tashmë.

Vlerësimi me “Oscar” i këtij filmi, është gjithashtu vlerësimi i parë që Agjencia e Lajmeve Associated Press dhe PBS “Frontline” merr nga Academy Awards. Dokumentari do të shfaqet në Bibliotekën e Kryeministrisë, më 21 mars.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak3000 fara kanabisi, maska dhe municione luftarake, pranga 25-vjeçarit
Artikulli tjetërNikolla, takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it