Ballina Aktualitet

Xhixho: Propozime konkrete që arsimi të kthehet në prioritet

TIRANË 12 mars/ATSH/ Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në një deklaratë për mediet, tha sot se shkollat shqiptare vuajnë mungesën e mësuesve. Ajo po ashtu ka listuar dhe propozimet e Partisë së Lirisë për atë që Xhixho e cilëson si “shpëtimin e arsimit”.

Sipas saj, arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm i mungojnë 159 mësues matematike, sipas vetë Portalit “Mësues për Shqipërinë”.

“Aktualisht, në bashkinë e Kukësit mungojnë aktualisht 29 mësues matematike, në Dibër 23, madje edhe në Tiranë mungojnë 11 mësues. Në qarqet Kukës dhe Dibër, thuajse shumica e shkollave nuk kanë një mësues të profilit të matematikës”, tha Xhixho.

“Mungesa ka edhe për mësuesit ndihmës. Pavarësisht se në strategjinë kombëtare të Ministrisë së Arsimit përcaktohet detyrimi për të siguruar arsim gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe nevoja për të parandaluar diskriminimin, ndryshe nga premtimi dy vjet më parë për 205 punonjës psikosocial dhe 250 ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, në portalin e punësimit ‘Mësues për Shqipërinë” janë qindra vende të lira.

Fatkeqësisht, edhe ato shkolla që i kanë të gjithë mësuesit, kanë mësues me njohuri të pamjaftueshme. 47% e tyre, pra gati gjysma e mësuesve të Shqipërisë, nuk kanë njohuritë e duhura për të dalë përpara një klase me nxënës. Gati një e katërta e trupës pedagogjike të arsimit parauniversitar vlerësohet shumë dobët”, tha Xhixho.

Sipas saj, Partia Lirisë e cilëson arsimin si emergjencë kombëtare

“Arsimimi cilësor i të rinjve, duke i parë ata si mësuesit e së ardhmes, është sot emergjencë kombëtare. Ndaj, Partia e Lirisë propozon: miratimin me ligj në Parlament të një niveli dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në masën 5% e GDP-së, miratimin me shumicë të cilësuar të nivelit të pagave të mësuesve në piramidën e pagave, miratimin me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit”, tha ajo.

Gjithashtu me shumicë në Parlament duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat, dhe politikat arsimore. Për vendime kaq jetike për vendin është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve. Kthimin e mësuesisë dhe shkencave në degë degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me incentiva dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve. Reformimin e thellë të kurrikulave dhe aftësimin e mësimdhënies. Mbështetjen me investime prioritare të degëve të teknologjisë, informacionit dhe inovacionit në ofruesit e arsimit profesional dhe në institucionet e Arsimit të Lartë. Vetëm duke e bërë arsimin prioritet mund të rikthejmë shpresën se ky vend ka të ardhme!”, përfundoi Xhixho.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPaga mesatare mujore shënoi rritje me 13.7 %
Artikulli tjetërEuro 2025 U-21, Bushi fton 23 lojtarë për sfidat me Finlandën dhe Zvicrën