TIRANË, 12 mars /ATSH/ Pandeli Majko, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Kukës, u shpreh sot se, “në zgjedhjet e fundit vendore, me pak punë në të tre bashkitë e qarkut, Bashkinë Kukës, Has dhe Tropojë, PS-ja doli forcë e parë, çka do të thotë që duhet të bëjmë një rivlerësim të mundësive tona lidhur me atë se çfarë duam nga vetja për t’i garantuar Shqipërisë që është më e rëndësishmja për të ardhmen e vet”.
Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua në Kukës për procesin e rienergjizimit të PS me Organizatat Socialiste, i cili vijoi me anëtarësime të reja, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Majko tha se “është për t’u identifikuar një moment me shumë vlerë që jo vetëm bashkia e Kukësit, por edhe e Hasit, dhe dega e PS-së Tropojë, e kanë plotësuar objektivin për sa i takon anëtarësimeve të reja në PS”.
“Madje edhe e ka tejkaluar, siç është rasti i Bashkisë Kukës”, tha ai.
Majko tha se, PS është parti prej 11 vitesh në pushtet dhe normalisht ne i identifikojmë edhe vetë çështjet që kanë të kanë të bëjnë me organizimin e PS-së.
Ai theksoi se anëtarësimet në 3 bashkitë kanë qenë të ekuilibruara me pjesëmarrjen e burrave dhe grave. “Në qarkun e Kukësit është ngritur Forumi i Gruas, që përbën një nga strukturat më të ristrukturuara të PS-së, strukturë të cilën në vazhdim do ta forcojmë edhe më tej”, u shpreh Majko.
Majko theksoi se, gjërat janë mirë vetëm kur hapen kutitë e votimit, sepse aty është vlerësimi i katër viteve punë.
/r.e/























