TIRANË, 5 mars /ATSH/ Nën drejtimin e Kryetares, Flutura Açka, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot mbledhjen e radhës në platformën online “Zoom”.
Komisioni vijoi me diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2017, datë 16.2.2017 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, propozim i deputetes, Evis Kushi.
Relatorja e çështjes, Blerina Gjylameti, gjatë fjalës së saj u shpreh se ky projektligj përmirëson kërkesat e tregut nëpërmjet kurrikulave të ndryshme.
“Arsyeja e ndërmarrjes së kësaj nisme legjislative ka në thelb mbështetjen e të rinjve duke synuar për rritjen e cilësisë së standardeve dhe kualifikimeve profesionale të tyre. Kështu të rinjtë do të orientohen drejt një punësimi më të shpejtë dhe të mirëpaguar”, u shpreh Gjylameti.
Relatorja e çështjes, Merita Bakiu, u shpreh se, nuk ka një platformë të thellë të arsimit në tërësi dhe motivim të të rinjve për të ndjekur arsimin profesional.
Deputetja propozuese e projektligjit, Evis Kushi, iu përgjigj edhe disa pyetjeve të ngritura nga kolegët gjatë diskutimit.
Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh se shkollat profesionale kanë autonomi financiare, ofrohen shërbime dhe gjenerohen të ardhura.
“Mund të lidhin marrëveshje me shkolla të tjera ndërkombëtare dhe përmes ligjit po i autorizojmë që një pjesë të fondeve mund t’i përdorin për konsulenca. Menaxhojnë vetë të gjitha fondet që iu vihen në dispozicion. Këtu përfshihen trajnimet, blerje pajisjesh dhe të tjera mundësi për të cilat kanë nevojë”, u shpreh Manjani.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.






















