Ballina Ekonomi

Investimet strategjike, Shalsi: Shtyrja e ligjit të jetë deri më datën 31 dhjetor 2024

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen on-line të radhës vijoi shqyrtimin dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputetit Eduard Shalsi.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Laura Plaku, drejtoreshë e Përgjithshme e AIDA, si dhe stafi teknik i Ministrisë së Financave.

Pas miratimit të procesverbale të mbledhjeve të kaluara, Shalsi njoftoi se projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar” propozuar nga deputeti Laert Duraj, i parashikuar në rendin e ditës, do të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e nismës së Shalsit, e cila ishte shqyrtuar dhe diskutuar dhe më herët.

Në nisje të diskutimeve, në cilësinë e nismëtarit Shalsi sqaroi se në kushtet kur po punohet për draftimin e një projektligji të ri me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, ku do të reflektohen sugjerimet edhe të deputetëve të tjerë, si dhe pas sugjerimeve të ardhura nga komisionet e tjera parlamentare, propozoi rishikimin e nenit që lidhet me zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ligjit.

Shalsi propozoi që afati i shtyrjes së ligjit të jetë deri më datën 31 dhjetor 2024 dhe jo sipas variantit fillestar të nismës, që parashikonte afatin 31 dhjetor 2027.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, pjesërisht nen për nen dhe në tërësi nismën e Shalsit dhe raporti i kaloi komisionit përgjegjës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjerimi, instrument për promovimin e paqes dhe stabilitetit afër kufijve të BE
Artikulli tjetërManjani: Shkollat profesionale kanë autonomi financiare