TIRANË, 3 mars/ATSH/ Drejtuesi Politikë i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e qytetit të Fierit u ka bërë ftesë atyre të aderojnë në Partinë Socialiste.
Sipas Ballës, Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja forcë politike shqiptare e cila gjithmonë me vendimet e veta, me qëndrimet e veta, me veprimet e veta ka qenë në anën e duhur të historisë.
“Shumë nga ju janë maturantë dhe vitin e ardhshëm do të zgjedhin universitetin që do të zgjedhin për profesionin e tyre të ardhshëm. Isha dhe unë moshatari juaj para tridhjetë vjetësh edhe m’u desh të bëja dhe përveçse profesionit që do zgjidhja m’u desh të bëja dhe zgjedhjen e karakterit politikë se në cilën parti politike do të doja të bëja pjesë.Zgjodha të anëtarësohesha në Partinë Socialiste”, tha Balla.
“Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja forcë politike që gjithmonë me vendimet e veta, me qëndrimet e veta, me veprimet e veta ka qenë në anën e duhur të historisë dhe të mirës së Shqipërisë sonë të përbashkët. Prandaj nëse do më duhet t’i bëja sot një ftesë një të riu apo një të reje fierak apo nga e gjithë Shqipëria, të bëhet pjesë e politikës. Do ju sugjeroja të zgjidhni Partinë Socialiste të Shqipërisë”, nënvizoi Balla.
Në kuadër të angazhimit të tij si Ministër i Brendshëm, Balla solli në vëmendje luftën e Policisë së Shtetit kundër narkotikëve.
“Unë si Ministër i Brendshëm jam fokusuar në një pjesë të madhe të çdo dite të punës time te lufta kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike. Mendoj që edhe takime të tilla na vyejnë shumë për të folur për dëmet që ju sjell te shëndeti i çdo të riu i çdo të reje i gjithkujt përdorimi i lëndëve narkotike”, tha Balla.
“Sugjerimi im është që në vend të këtij fenomeni kaq negativ…Mund të merreni me sport, me sporte të ndryshme dhe natyrshëm edhe duke u fokusuar te mësimi, por një gjë duhet ta mbajmë me shumë krenari faktin që Fieri ka pasur dhe vazhdon të ketë shkolla shumë të mira dhe me djem dhe me vajza të talentuar të cilët ngrejnë lartë Fierin”, tha Balla.
“Kam parë edhe vitin e kaluar dhe mezi pres të shoh sivjet olimpiadat ku ne kemi pasur plot djem dhe vajza të Fierit me medalje në nivel kombëtar dhe kjo është diçka e mirë që Fieri e ka pasur dhe do vazhdojë ta ketë”, përfundoi Balla.























