Ballina Aktualitet

SPAK, ekspertizë kroate në luftën ndaj pastrimit të parave

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të luftës për pastrimin e parave, do të ketë në krah ekspertizën dhe bashkëpunimin me Zyrën për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë.

Zyra e shtypit e SPAK, përmes një njoftimi për mediet bën të ditur se “pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, në datat 21-22 shkurt 2024, u zhvillua një vizitë me Përfaqësues të Lartë të Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK), me përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OPDAT) në Shqipëri dhe Kroaci, me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe Prokurorë të kësaj Prokurorie. Kjo vizitë kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

“Rëndësia e kësaj vizite, qëndroi në diskutimet rreth forcimit të bashkëpunimit dhe lehtësimit të shkëmbimit të eksperiencave më të mira, sukseseve dhe sfidave me të cilat përballen  të dyja institucionet në përpjekje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar. Fokusi kryesor ishte edhe shkëmbimi i informacionit, veçanërisht në trajtimin e rasteve te pastrimit të parave në Kroaci, sidomos transaksionet e pasurive të paluajtshme, që përfshijnë kompani guaska dhe fonde që vijnë nga ose kalojnë përmes Shqipërisë, si dhe diskutime lidhur me çështjet aktuale për të cilat SPAK dhe USKOK, do të bashkëpunojë në ardhmen”, vijon SPAK.

“Në këtë takim u analizua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet SPAK-USKOK, i nënshkruar më datë 27 nëntor 2020, ku kryesisht u diskutua rreth vendosjes së pikave të caktuara të kontaktit dhe proceseve për zbatimin e tij. Takimi u fokusua në rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili kishte si qëllim identifikimin e hapave të veprimit për një bashkëpunim më të fortë dypalësh, duke nxjerrë njohuri nga përvojat e përbashkëta”, bën të ditur SPAK.

“Gjithashtu, përfaqësuesit e Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK), ndanë njohuritë e tyre mbi nismat kryesore të politikave dhe reformat legjislative të ndërmarra si pjesë e procesit të pranimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian”, përfundon SPAK.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Pronat e sekuestruara po kthehen në strehëza për vajzat dhe gratë e dhunuara
Artikulli tjetërFRANKFURT – BE hap selinë e re të Agjencisë Kundër Pastrimit të Parave (AMLA)