TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Drejtori i Shërbimit të Provës Klevis Qose, zhvilloi të martën një takim me zyrtarë të Këshillit të Evropës, Ioan Durnescu, konsulent dhe Sara Rekar, zyrtare e lartë e projektit, ku u diskutua mbi format e aplikimit të shërbimit të provës te personat e kthyer nga zonat e konfliktit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qose ndan foto dhe detaje nga takimi.
“Diskutuam mbi forcimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor për menaxhimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm në Shërbimin e Provës, për të kthyerit nga zonat e konfliktit, që klasifikohen për dënime alternative, dënime plotësuese apo masa shtrënguese”, tha Qose.
“Bashkëpunimi rajonal është thelbësor dhe imperativ, veçanërisht duke pasur parasysh se kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij dhe shpesh janë transnacionale”, vijon Qose.
Sipas tij, “përmes trajnimeve të vazhdueshme, pjesëmarrjes në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, monitorimit të trendeve të reja në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, shkëmbimit të përvojave për përdorimin e masave dhe instrumenteve efektivë, synohet zhvillim i vazhdueshëm profesional i specialistëve të Shërbimit të Provës me qëllim mirëmenaxhimin e rasteve të të kthyerve nga zonat e konfliktit”, përfundon Qose.





















