TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Policia e Fierit njofton se ka gjobitur një 53-vjeçar, i cili është evidentuar duke hedhur nga dritarja e automjetit të tij mbeturina.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor “Lushnjë-Rrethi i Kolonjës”.
“Shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë monitorimit të qarkullimit të automjeteve, kanë konstatuar në aksin rrugor “Lushnjë-Rrethi i Kolonjës”, drejtuesin e një automjeti, duke hedhur në rrugë, mbeturina, që përveç se ndotin mjedisin, mund të bëhen shkak për humbjen e vëmendjes nga drejtuesit e tjerë të automjeteve”, bën të ditur Policia rrugore.
“Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin J. K., 53 vjeç, dhe e kanë ndëshkuar atë me masë administrative 40 000 lekë të rinj, sipas neneve 15/2 dhe 15/1 pika g, të Kodit Rrugor”, vijon njoftimi.
Policia Rrugore e Fierit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të mos hedhin mbeturina në rrugë dhe të mos kryejnë veprimeve të tjera të ndaluara, sepse mund të bëhen burim aksidenti, duke shpërqendruar drejtuesit e tjerë të automjeteve.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se Policia s’do bëjë asnjë tolerim për ndotësit e mjedisit, ndërsa paralajmëroi se kontrollet do të jenë edhe më intensive.
/r.e/























