TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediet ka deklaruar se deputetët e opozitës janë të gatshëm të përshkallëzojnë protestën e tyre duke u ngujuar në sallën e Kuvendit, ose duke nisur një grevë urie.
Sipas tij, aksioni opozitar nuk do të ndalet deri sa të realizohen të gjitha kërkesat e parashtruara, që sipas Bardhit janë të drejta kushtetuese që i takojnë opozitës.
“Grupit parlamentar të mazhorancës i ishte shpërndarë në mëngjes një mesazh, ku duhet të paraqiteshin në sallën e kuvendit në orën 09:00. Më vjen keq që disa deputetë me mandat opozitarë, iu përgjigjën pozitivisht kësaj thirrjeje”, tha Bardhi, duke iu referuar grupit të deputetëve të Partisë Demokratike, që ishin në sallën e seancave plenare në Kuvend që prej orës 09:00 të mëngjesit.
“Bllokimi nuk është qëllimi ynë, por ne duam që parlamenti të jetë funksional. Duam që parlamenti të funksionojë sipas kushtetutës dhe rregullores. Beteja jonë është për të kthyer parlamentin në funksionalitet të plotë kushtetues. Kemi katër muaj që rezistojmë dhe do vazhdojmë të rezistojmë deri sa kërkesat tona legjitime të përmbushen”, tha Bardhi.
“S’kemi kërkuar asnjë favor, duke zbatuar rregulloren dhe Kushtetutën. Nuk besoj se është sekret se grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka diskutuar të gjitha opsionet e e aksionit tonë brenda parlamentit dhe jashtë tij. Të gjithë kemi shprehur gatishmërinë për përshkallëzim e protestës, qoftë ngujim, qoftë grevë urie”, tha Bardhi.
Sipas tij, “deputetët e opozitës nuk janë aty fasadë ndaj regjimit të Ramës. Jemi aty për të përmbushur përgjegjësitë që qytetarët na kanë ngarkuar. Kontrolli parlamentar është funksion i opozitës dhe Kuvendit nuk mund të mohohen. Reforma zgjedhore është interes madhor i qytetarëve, që vitin tjetër Shqipëria të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”.
/r.e/





















