Ballina Flash

Basha: Shumica e shqiptarëve duan ndryshim

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot bindjen se shumica e shqiptarëve duan ndryshim.

Gjatë punimeve të Kuvendit Zgjedhor në degën e PD-së, Roskovec, Basha theksoi se “ata që duan sot ndryshim, janë maxhoranca e njerëzve në Shqipëri”.

“Por në anën tjetër, realiteti politik është i shtrembëruar. Ata që përfaqësojnë pakicën, duan ta mbajnë këtë gjendje. Në këtë gjendje vegjeton, mbijeton shumica e shqiptarëve, një pjesë as mbijetesën, por në këtë gjendje pasurohet një grusht njerëzish. Emrat dhe fytyrat e tyre i keni parasysh nga mëngjesi deri në darkë. Është e njëjta klikë që nuk e sheh politikën si një mision në shërbim të njerëzve, por e shikon si një biznes për përfitime materiale dhe pushtetare”, shtoi ai.

Sipas tij, “PD përbën një kërcenim të madh për këtë sistem”.

“Ndaj furia e sulmeve që kemi përjetuar në dy vitet e fundit, që sinkronizon edhe në fjalorin që përdorin, aq sa po t’i ndrysesh zërin e të mbyllësh sytë thua që janë i njëjti person, por janë të ndryshëm që përdorin të njëjtin fjalor, kjo furi vazhdon dhe do thellohet. Mos e merrni si diçka për t’u ligështuar, por si fletë lavdërimi, si shenjë e panikut që i ka kapur. Ky ankth dhe kjo frikë tregon se i vetmi faktor politik që i tremben është Partia Demokratike e Shqipërisë. Unë ju them sot, mos t’i zhgënjejmë. T’i provojmë ditë për ditë derisa të vijë dita e përballjes, që po, ne jemi e vetmja forca që do ta shndërrojmë këtë dëshirë për ndryshim në një projekt politik”, u shpreh Basha.

Basha: PD po projekton rrugën e daljes nga kjo gjendje

“Gjithësecili prej nesh sot përballet me përditshmërinë e zymtë që ka ardhur. Papunësi, emigracion të niveleve 90-të, një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Kjo është në të gjithë Shqipërinë, si dhe këtu në Patos. Rini që po largohet, sipërmarrje që po rrënohen, shëndetësi e rrëzuar përtokë, janë sot realitet që shqiptarët po përballen”, u shpreh Basha.

Kjo, sipas tij, “ka bërë që një shumicë njerëzish të heshtur të shpresojnë ndryshimin e kësaj situate”. “Ndërsa nga ana tjetër një grusht politikanësh dhe oligarkësh që kanë kapur Shqipërinë, duan ta mbajnë këtë situatë kështu dhe na e paraqesin realitetin krejt ndryshe. Se si mund të ketë një vend turizëm me një bujqësi të rrënuar, këtë vetëm ata e shohin”, tha ai.

Basha u shpreh se “shqiptarëve ju ka ardhur në maj të hundës dhe ne jemi përgatitur që të vijmë para njerëzve me një kulturë tjetër”.

“Duke prekur problemet reale dhe për t’iu përgjigjur atyre. Qeverisja e ardhshme mos të jetë me zakone të vjetra, por me burra dhe gra që nuk e shohin pushtetin për xhepat e tyre, por për interesin e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij, “kishte një projekt të përçarjes së PD-së, një skenar që mundësonte mosekzistencën e PD”.

“Por i kishin bërë llogaritë gabim. Nuk llogaritën demokratët, nuk llogaritën burrat dhe gratë në këtë sallë dhe jashtë saj. Treguan se PD nuk është ndërtuar për interesa të ngushta personale, por si ëndërr për liri, për demokraci, për mundësi, për zhvillim. Mjaftueshëm qëndruan për këto vlera në këto dy vite e kusur. Është fal jush që PD sot qëndroi dhe rezistoi. Qëndruat për vlerat e kësaj partie dhe jo për gropën e zezë të disa individëve. Të thuash të vërtetën ku gënjeshtra është rregulli, është sakrificë dhe demonstrim lidershipi për t’i dalë sfidës që kemi përpara”, shtoi ai.

Basha takime me qytetarë në Roskovec

Kryetari i PD-së, Basha u takua edhe me qytetarë dhe tregtarë të Roskovecit.

“Ne do të bëjmë gjithçka që të dëgjohet zëri i Shqipërisë normale, duke ofruar një alternativë të re dhe një program që i garanton vendit zhvillim ekonomik, mundësi punësimi dhe një jetë më të mirë për çdo shqiptar”, u shpreh me qytetarët.

Basha në Fier: Nxjerrim ekipin që do të angazhojë PD në një kulturë të re politike

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mori pjesë sot në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD, Fier.

“Ky kuvend është shprehja më e gjallë dhe e vërtet që demokratët e Fierit kanë bërë në këto 2 vite të vështira të PD. Sot me vendimmarrjen tonë, do të nxjerrim ekipin që do të angazhojë PD në një kulturë të re politike ”, tha ai para të pranishmëve.

Basha theksoi se askush nuk duhet ta harrojë se kjo parti nuk lindi thjesht si një organizatë e thjesht politike, por si një endër e të gjithë qytetarëve në këtë vend.

“Tash 34 vjet dëgjojmë nëpër foltore drejtuesit e PD që do përmbushim aspiratat e Shqipërisë, por i kemi zhgenjyer. U kemi premtuar ish të përndjekurve që do ta mbajmë fjalën për pronat e tyre, por i kemi zhgënjyer. U kemi premtuar shqiptarëve një Shqipëri me standarte europiane, por që nuk e kemi realizuar. Tashmë ka ardhur koha që të gjitha këto zotime dhe premtime t’i realizojmë”, u shpreh ai.

Basha u ndal dhe te Reforma në Drejtësi, ndërsa u shpreh se PD është në krah të drejtësisë së re.

“Këta të gjithë janë të zhytur në korrupsion. Kjo është arsyeja se pse i janë turur SPAK-ut. E them me bindje se PD është në krah të drejtësisë së re, në krah të SPAK-ut që të vënë para drejtësisë të korruptuarit. SPAK nuk është perfekt, por është e vetmja shpresë që do vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë, pronat dhe pasuritë e shqiptarëve. Reforma zgjedhore, mbështetja ndaj SPAK dhe programi që do u japë zgjidhje problemeve, janë tre kolonat mbështetëse të PD për t’u kthyer në shpresë për ndryshim për të gjithë shqiptarët”, foli Basha.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVËZHGIM – Protestat kundër së djathtës ekstreme mund të shndërrohen në lëvizje
Artikulli tjetërRama ndan fotot: E diel në Shkodër