Ballina Aktualitet

Çelet në Tiranë ekspozita e legjendës së futbollit italian, Paolo Rossi


TIRANË, 1 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Në Muzeun Historik Kombëtar u çel sot ekspozita unikale e koleksionit të jashtëzakonshëm të Paolo Rossit, djalit të artë të futbollit italian, që ngriti peshë edhe zemrat e tifozerisë shqiptare në vitet 70-80, e që ka shkëmbyer bluzat e tij me ato të legjendave të tjera botërore të atyre viteve.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e çeljes së ekspozitës tha se “kush ka parë futboll në atë kohë nuk duhet ta lerë pa parë këtë ekspozitë të rrallë”.

Rama vlerësoi se Paolo Rossi shkoi përtej limiteve, por asnjëherë nuk humbi buzëqeshjen.

Sipas tij, Rossi “ka qenë një futbollist legjendar që ka lënë këtë botë me një kujtim të rëndësishëm”.

“Hapim dyert të mikpresim të gjithë ata që duan të bëjnë këtë shëtitje në të shkuarën dhe të mendojnë për të ardhmen. Ne këtu në Shqipëri kemi përjetuar futbollin në një mënyrë shumë të ndryshme dhe kemi shijuar këtë triumf të Italisë në botërorin e ’82 në një mënyrë komplet ndryshe se ne ishim jashtë bote dhe nuk kishim mundësinë që të udhëtonim dhe të shikonim televizionin përveç ekranit të propagandës së regjimit”, tha Rama.

Për ne, vijoi kryeministri, futbolli ka qenë një imazh i një bote tjetër.

Rama theksoi po ashtu se ideja për çeljen e kësaj ekspozite në Tiranë ishte e legjendës së futbollit botëror, Arrigo Sacchi.

“U ndjeva i nderuar dhe krenar që Arrigo propozoi këtë ekspozitë. E di që Arrigo nuk është një person i lehtë dhe nuk bën ndere, por mendon atë që thotë dhe thotë atë që bën, që është një gjë shumë e rrallë”, tha Rama.

Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite ishin të pranishëm edhe legjenda e futbollit botëror Arrigo Sacchi, bashkëshortja e Paolo Rossi-t, Federica Cappelletti drejtuese e fondacionit “Paolo Rossi”, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, kreu i FSHF-së Armando Duka etj.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, i cili tha se ndihet i nderuar që është pjesë e inagurimit të ekspozitës “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” në Tiranë.

“Kjo ekspozitë është diçka e mrekullueshme që krijon një hapësirë midis rëndësisë së kohës të lidhur me memorien. Paolo Rossi është hero që nuk njeh kohë. Ai e mëshiron në mënyrë perfekte këtë gjë. Tani do të keni mundësi që ta shihni nëpërmjet ekspozitës. Dua të nënvizoj atë që tha edhe Arrigo Sacchi, kjo ekspozitë është projekti i bukurisë”, tha Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.

Ndërkaq, ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se Paolo Rossi është pjesë e rëndësishme e historisë italiane.

“Faleminderit të gjithëve që keni bërë të mundur të sillni këtë ekspozitë, këto kujtime të mrekullueshme, të një personi të jashtëzakonshëm, të Paolo Rossit. Ai është një pjesë e historisë italiane. Rossi i futbollit me atë skuadër të mrekullueshme të vitit 1982 përfaqëson historinë tonë”, tha ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Një fjalë përshëndetëse në inagurimin e kësaj ekspozite mbajti edhe ish-trajneri i famshëm italian, Arrigo Sacchi.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu në këtë vend të mrekullueshëm, qyteti ka ndryshuar shumë. Futbolli dhe sporti në përgjithësi të ndihmojnë që të jetosh më mirë dhe ky aktivitet është për të gjithë. Është një kënaqësi për mua që të jem këtu dhe sa herë që do doni që unë të vij, do të vij me kënaqësi”, tha ish-trajneri i famshëm italian, Arrigo Saçhi.

Drejtori i Ekspozitës, Marco Schembri falenderoi FSHF-në për bashkëpunimin për të sjellë ekspozitën edhe në Shqipëri.

“Dua të falenderoj FSHF-në, në veçanti Presidentin Duka, që na kanë ndihmuar dhe na kanë dhënë mbështetjen e tyre. Sonte po e inaugurojmë këtë ekspozitë dhe i ftojmë të gjithë që të vijnë ta vizitojnë”, tha Drejtori i Ekspozitës, Marco Schembri.

Bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti, tha se ndihet e nderuar që ekspozita “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” vjen në një vend mik siç është Shqipëria.

“Marco më propozoi mundësinë për ta sjellë ekspozitën në Shqipëri dhe sot dua të them që jam shumë e lumtur që ekspozita vjen në një vend mik si Shqipëria. Dua t’i falenderoj shumë ata që e bënë të mundur këtë gjë dhe shpresojë shumë që kjo ekspozitë të mund të sjellë vlera, parime dhe një pjesë shumë të rëndësishme të Italisë, në këtë realitet shumë të bukur që quhet Shqipëri dhe Tiranë”, – tha bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti.

Edhe ish-futbollistët e famshëm Marco Tardelli e Antonio Cabrini mbajtën një fjalim të shkurtër, duke rikujtuar edhe njëherë figurën e Paolo Rosit.

“Gjithçka që ka bërë Paolo ka ndryshuar futbollin italian dhe jo vetëm. Ishte një mik i mirë dhe një djalë i mrekullueshëm, ishte një personazh pozitiv dhe i veçantë. Kanë kaluar tre vite që Paolo ka ndërruar jetë, humbi një pjesë e grupit dhe skuadrës sonë, tani ai po na sheh nga lart”, tha Antonio Cabrini.

“Besoj që e njihja Paolon shumë mirë, ishim shumë miq së bashku, kënaqësi të flasësh për të. Një njeri fantastik, person me shumë besim, kishim gjithnjë nevojë për të në skuadrën tonë”, tha Marco Tardelli.

Pjesë e inagurimit të ekspozitës ishte edhe një i ftuar special, Abraham Klein, ish-arbitrit izraelit i gjysmëfinales së Botërorit 1982, Itali–Brazil.

“Është hera e parë që e vizitoj Tiranën. Kam qenë kudo në botë, por për herë të parë jam sot këtu. E kam njohur Paolo Rossin në fushë, pasi e kam arbitruar pesë herë kur ai ka qenë duke luajtur. Gjithmonë do të mbahet mend si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka kontribuar për Italinë dhe për futbollin në përgjithësi. Humbja e tij ka qenë një tragjedi për familjen, futbollin dhe për të gjithë botën”, – tha Abraham Klein.

Hapësirat e ekspozitës do të përshkruajnë në mënyrë kronologjike jo vetëm jetën dhe karrierën e Paolo Rossit, por të gjithë të apasionuarit pas futbollit do të kenë mundësinë që të shohin relike dhe sende personale që u përkasin personaliteteve më të mëdha të futbollit botëror.

Midis sendeve personale, realitetit virtual, bluzave origjinale, intervistave, Topit të Artë dhe Këpucës së Artë 82, vizitori i ekspozitës do të mundë të hyjë në kontakt me një prej atletëve më të vlerësuar në historinë e futbollit kombëtar e atij ndërkombëtar.

Një kampion që ka bërë të ëndërrojë Italinë dhe Shqipërinë: “Paolo Rossi, djalë flori”, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Lirohet pas 8 muajsh pëllumbi i akuzuar për … spiunazh!
Artikulli tjetërIKMT: Kundrejt subjektit të Latif Saraçit janë kryer të gjitha procedurat sipas ligjit