Ballina Aktualitet

Zhupa pret në ATSH ambasadorin e Algjerisë, Saidani

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa zhvilloi sot një takim kortezie me ambasadorin e Algjerisë në Shqipëri, Abdelouahab Saidani.

Ambasadori Saidani vlerësoi kontributin e çmuar në medie prej më shumë se 100 vitesh të ATSH-së.

Ai e ftoi znj.Zhupa për të marrë pjesë në Samitin e 7-të të krerëve të shteteve dhe qeverive të Forumit të Vendeve Eksportuese të Gazit (GECF), i cili do të mbahet nga data 29 shkurt deri më 2 mars në Algjeri.

Në bashkëbisedim me Drejtoreshën e Përgjithshme, ambasadori algjer ndau përshtypjet e tij për Shqipërinë, mikpritjen e shqiptarëve, bukuritë natyrore të vendit tonë dhe veçanërisht e cilësoi Tiranën një qytet shumë të këndshëm.

Drejtoresha e ATSH-së, Zhupa dhe ambasadori Saidani vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona.

Ata theksuan rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit edhe mes dy agjencive të lajmeve, ATSH-së dhe agjencisë zyrtare të lajmeve të Algjerisë, APS.

Zhupa dhe diplomati algjerian diskutuan për marrëveshjen që do të nënshkruhet mes ATSH-së dhe agjencisë së lajmeve të Algjerisë, APS, duke e zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve edhe nëpërmjet agjencive respektive të lajmeve.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së Zhupa theksoi se “kjo marrëveshje i sjell vendet tona më pranë, duke krijuar hapësira të rëndësishme njohjeje sa i përket zhvillimit të turizmit, ekonomisë, arkeologjisë dhe kulturës”.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani: Nëse partitë politike pajtohen, shpall datën e re të zgjedhjeve
Artikulli tjetërLeku shfaqi stabilitet në kursin e këmbimit