TIRANË, 30 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, këtë vit do të ketë disa qindra laboratorë të tjerë “smart” nëpër shkolla.
Në fjalën e tij në aktivitetin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, Rama tha se, “sot misioni i mësuesit është një Shqipëri që rritet e tëra së bashku ashtu siç duhet nesër apo një Shqipëri që pavarësisht potencialit mund të ndalojë së rrituri sepse nuk do ketë në dispozicion kapacitetet e nevojshme, qoftë në numër, qoftë në cilësi”.
“Për këtë arsye unë besoj që është domethënëse aleanca që kemi me partneret që sot këtu janë të ftuar, Banka Botërore, për herë të parë Banka Botërore, duke kuptuar këtë shqetësim të madh, duke kuptuar këtë nevojë të jashtëzakonshme dhe këtë sfidë gati-gati alarmante ka bërë një ndryshim strategjik në portofolin e saj duke i vendosur një pjesë të konsiderueshme të portofolit në dispozicion arsimit dhe faktikisht digjitalizimit dhe falë mbështetjes së Bankës, ne këtë vit do të kemi disa qindra laboratorë të tjerë “smart” nëpër shkolla për ta vazhduar këtë proces”, theksoi Rama.
“Kemi Bashkimin Europian këtu, ambasadori foli dhe Bashkimi Europian sot duke kuptuar këtë nevojë, duke kuptuar këtë shqetësim të madh, ka ndryshuar qasjen dhe për herë të parë në historinë e vet ka vendosur për një vend i cili nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian, por është në procesin e negociatave, instrumente të rinj financiar, të cilët deri dje mund t’i gëzonin vetëm vendet e Bashkimit Europian, por jo vetëm instrumente financiar, por edhe ajo që tha ambasadori futja e universiteteve tona në aleancën europiane të universiteteve që u bë e mundur në Samitin këtu në Tiranë. Ishte një hap shumë domethënës sepse deri në atë moment vetëm vendet e BE e kishin këtë mundësi”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, “tani me planin e ri të rritjes ekonomike që ka bërë Komisioni Europian për vendet tona, falë në radhë të parë nxitjes së madhe dhe përpjekjes dhe këmbënguljes së madhe që ne kemi bërë, që Shqipëria ka bërë duke kërkuar që të shikohet ndryshe ky proces, ne do të kemi mundësi të vëmë më shumë financa në dispozicion në zhvillim të rritjes ekonomike dhe do të fokusohemi patjetër tek arsimi që edhe pse nuk është si sektorët e tjerë që ta japin shpejt atë që ti investon, por arsimi e jep në mënyrë shumë më graduale, është më strategjiku dhe më i rëndësishmi ndër të gjithë sektorët sepse është sektori ku garantohet si do jetë e ardhmja”.
“Pa diskutim ADF-në e kemi partner të rëndësishëm. Shpresoj që ADF-ja, e cila ka bërë me ne disa partneritete me sukses të padiskutueshëm, të marrë shembull nga qeveria shqiptare dhe ta hapë pak më shumë portofolin se kanë. Kanë akoma më shumë në atë portofolin e tyre dhe kam besim që duke parë që qeveria shqiptare po bën ekstra sforco për të adresuar nevojën që njerëzit tanë këtu në këtë vend, që të kenë paga gjithmonë e më dinjitoze dhe në një moment të caktuar të mos kenë më asnjë diskutim mes veti që të rrimë këtu të punojmë për vendin apo të ikim, se pavarësisht se pagat kur i shikon në pamje të parë duken me një diferencë shumë të madhe, por kur shkon pak më thellë sesa pjesë të pagës mësuesi këtu ia lë shtetit dhe sa pjesë të pagës mësuesi andej ia lë shtetit, atëherë fillon ndryshon ekuacioni. Dhe unë gjithmonë fus dhe një element tjetër në fund fare të gjithë llogarive, fus kafen”, u shpreh Rama.
“Të shkosh të punosh për një pagë më të lartë në Gjermani dhe të pish atë farë kafeje që është si lëng gështenjash dhe ta pish vetëm dhe për ta pirë të marrësh rrugën dhe të paguash 5 euro biletën për të shkuar deri atje, ndërkohe që këtu kafen mund ta pish në diell, madje dhe në ditë pune, është një llogari që duhet bërë dhe përtej shakasë që në këtë rast është më shumë se gjysma e së vërtetës, i rikthehem fjalisë për të thënë që ADF-ja dhe sidomos shqiptarët e ADF-së që janë këtu me siguri herët ose vonë, po un shpresoj më mirë herët se vonë se ne na duhet tani kjo mbështetje, do ta zgjerojnë pak portofolin tyre, që megjithatë ka dhënë shumë rezultate deri tani dhe falë bashkëpunimit me ADF ne kemi dhe Programin e Shkollës së Drejtorëve që vazhdon”, tha Rama.
Rama përmendi edhe UNICEF, i cili shtoi kryeministri, “ka një qasje shumë më aktive sesa më parë dhe patjetër Fondacioni për Shqipërinë e Hapur, i shoqërisë së hapur, ose e thënë copë Sorosi, që vazhdon ndihmon edhe pse jo si më parë për hir të së vërtetës. Ka pas ndihmuar shumë më tepër Sorosi në kohën kur ishin në pushtet ata që sot e mallkojnë, ndërsa sot më pak, por sidoqoftë strategjikisht në mënyrë të qëndrueshme dhe te arsyeshme”.
Rama siguroi se, “ky nuk është një moment si gjithë të tjerët dhe ky program i ri nën lidershipin e Ogertës, nuk është një program si gjithë të tjerët. Ky është një moment historik ku çfarë shohim ne sot në përfytyrimin e së ardhmes, çfarë kuptojmë ne sot nga gjërat që duhen bërë tani për nesër dhe si i bëjmë ne sot ato gjëra, vendos si do të jetë Shqipëria dhe si do të jetë jeta e gjeneratave të tjera kur ne të kalojmë stafetën sepse nëse deri dje, një vit i humbur kishte një peshë të caktuar, sot një vit i humbur ka një peshë qindra fish më të rëndë për të ardhmen sesa ç’kishte deri dje. Nëse deri dje ora kishte një vlerë të caktuar, sot ora ka një vlerë njëqindfish më të lartë se ç ‘kishte deri dje. Dhe nëse deri dje thuhej shprehja ‘’s’ka kohë për të humbur”, “punën e sotme mos e lër për nesër’’, sot puna e mëngjesit nuk duhet lënë për në darkë pasi çdo moment që kalon pa bërë atë që duhet, e zgjeron në mënyrë të frikshme distancën me këdo tjetër që vrapon dhe në një botë që është e lidhur siç është lidhur bota e sotme, që është një botë që është bërë si një fshat ku çfarë ndodh në një anë të fshatit merret vesh nga ana e fshatit tjetër brenda pak minutash, ndërsa sot çfarë ndodh mbrapa diellit merret vesh çfarë ndodh brenda pak sekondash, ne duhet të vrapojmë, pa u lodhur dhe për këtë vrapi juaj është më i rëndësishmi”.























