TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, theksoi të hënën angazhimin e Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrave të saj, në kuadër të zbatimit të paketë së “Sigurisë në Shkolla”.
Balla në reagimin e tij në rrjetet sociale, i bën ftesë nxënësve, mësuesve dhe prindërve të bashkëpunojnë me psikologët dhe policët për të referuar çdo rast apo dyshim.
“Policia e Shtetit kryen çdo ditë zbatimin e masave që ka në përgjegjësi Paketa e Sigurisë në shkolla “, shkruan Balla, teksa shpërndan dhe një video nga puna monitoruese e forcave te rendit.
“Duke ju uruar një vit të mbarë, me rezultate sa më të mira në mësime, i ftoj nxënësit dhe prindërit të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, me Oficerët e Sigurisë në shkolla, psikologët, punonjësit socialë, stafet pedagogjike, për të sinjalizuar çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, në mënyrë që të gjithë së bashku, të bëjmë më të mirën për sigurinë e tyre”, nënvizon Balla.
Paketa e Sigurisë në shkolla u hartua në fillim të muajit shtator nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Qëllimi parësor është rritja e sigurisë në ambientet mësimore, dhe monotiorimi i plotë i zonave në afërsi të institucioneve arsimore, duke parandaluar dhe tentativat e shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.























