TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës ka bërë një bilanc të arritjeve të vitit 2023, të cilin e konsideron “vit të madh për artin e sportin”.
Ndër arritjet, ministri Çeku vendos rikthimin e Festivalit të Këngës në RTK, shpalljen e Kosovës mikpritëse të Lojërave Mesdhetare 2030, zbulimin sensacional në Ulpianën dardane, etj.
Sipas MKRS të Kosovës, janë miratuar shumë ligje e akte për të fuqizuar artistin e sportistin në karrierë dhe mirëqenie ekonomike. Gjatë 2023, kinematografia u shpall sektor i interesit të veçantë publik, ndërsa rinia u bë me agjenci e strategji shtetërore.
Gjithashtu u lançuan programet “Arti në shkolla”, “Sporti në shkolla” dhe “Vullnetarizmi në shkolla”, përmes të cilave përfitojnë mijëra nxënës në dhjetëra komuna e shkolla.
“Mbështetja direkte për kulturën, rininë e sportin, si asnjëherë më parë, sivjet arriti vlerën 18 milionë euro. Mbështetëm federatat, klubet e sportistët, artistët e organizatat kulturore, shkrimtarët e shtëpitë botuese, studentët e aktivistët e rinisë”, thuhet në faqen online të MKRS, e cila ka nisur zbatimin e planit 5-vjeçar për infrastrukturën e futbollit, përmes të cilit do të ketë 200 milionë euro investime, në 25 stadiume anekënd Kosovës.























