Ballina Bota

SHBA – Ushtria amerikane sulmon milicinë e mbështetur nga Irani në Irak ​

UASHINGTON, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, ushtria amerikane i është përgjigjur një sërë sulmeve ndaj bazave amerikane në Irak me sulme të sakta kundër milicisë së mbështetur nga Irani në vend.

”Tre ushtarë amerikanë u plagosën në këto sulme nga milicitë e mbështetur nga Irani, njëri prej tyre seriozisht”, tha Austin.

Me udhëzimet e presidentit amerikan Joe Biden, u kryen sulme “të nevojshme dhe proporcionale” kundër tre bazave të përdorura nga këto milici.

Në të njëjtën kohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes paralajmëroi për sulme të mëtejshme kundër ushtarëve amerikanë në rajon.

Ai tha se ”Uashingtoni është i vendosur dhe i gatshëm të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur personelin dhe objektet e SHBA”.

Qeveria irakiane dënoi të martën sulmet amerikane si një “akt të qartë armiqësor”.

Një anëtar i shërbimeve të sigurisë u vra dhe 18 persona, përfshirë civilë, u plagosën në sulmet.

”Ne theksojmë se ky hap minon marrëdhëniet dypalëshe dhe do të komplikojë mënyrat e arritjes së mirëkuptimit përmes dialogut bashkëpunues që synon t’i japë fund pranisë së koalicionit ndërkombëtar”, tha qeveria në një deklaratë./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Future Champions”, observatori i futbollit “CIES” vlerëson Mario Mitajn mes talenteve botërorë
Artikulli tjetër“Fjala dhe t’in Zoti”, revista që nxiti arbëreshët të përdornin shqipen