Ballina Bota

NJU JORK – Guterres: Bota nuk është e përgatitur për një tjetër pandemi

NJU JORK, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres tha se ”bota nuk është ende e përgatitur për një pandemi të re të mundshme”.

“Ne duhet të bëjmë më shumë. Ne duhet të heqim dorë nga fatkeqësia morale dhe mjekësore e vendeve të pasura që grumbullojnë dhe kontrollojnë furnizimet shëndetësore të lidhura me pandeminë dhe të sigurojmë që të gjithë të kenë akses në diagnoza, trajtime dhe vaksina”, tha shefi i OKB-së teksa reflektonte mbi mësimet e nxjerra nga pandemia Covid-19.

Me iniciativën e presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, negociatat për një traktat global mbi pandemitë janë duke u zhvilluar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të përmirësuar rregulloren dhe për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme.

Traktati do të miratohet nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë, e planifikuar për nga 27 maj deri më 1 qershor 2024; megjithatë, drafti prej 30 faqesh mbetet shumë i diskutueshëm.

Propozimi aktual rregullon, ndër të tjera, se sa shpejt ndahet informacioni rreth patogjenëve të rinj, kush i prodhon vaksinat dhe barnat dhe ku dhe si shpërndahen ato.

Edhe nëse traktati do të miratohej në mbledhjen e OBSH-së, ai do të hynte në fuqi vetëm nëse e ratifikonin mjaft vende dhe do të ishte i vlefshëm vetëm në ato vende.

Vendet e pasura kanë kritikuar se do t’u kërkohet të zbulojnë detajet e financimit të kërkimit dhe se kompanive të barnave do t’u kërkohet të sigurojnë transparencën e çmimeve.

Drafti gjithashtu kërkon që prodhuesit të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për produktet farmaceutike në rast të një pandemie të re dhe t’i dorëzojnë një pjesë të prodhimit të tyre OBSH-së për shpërndarje./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Fjala dhe t’in Zoti”, revista që nxiti arbëreshët të përdornin shqipen
Artikulli tjetër111 persona nga 823 riregjistrime në autoshkollë rifituan lejen e drejtimit