KIEV, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një ditë pasi Rusia pretendoi se kishte marrë nën kontroll Marinkan, një qytet i vogël në rajonin lindor të Donetskut, komandanti i përgjithshëm ukrainas Valerii Zaluzhnyi ka pranuar se trupat e tij janë tërhequr.
Zaluzhnyi u tha gazetarëve në Kiev se linjat e reja të mbrojtjes ishin përgatitur jashtë qytetit të kontestuar, i cili është kryesisht i shkatërruar dhe i shkretë, por ka një rëndësi strategjike.
Marinka ndodhet më pak se 30 kilometra në jugperëndim të Donetskut, i cili është i kontrolluar nga Rusia.
Zaluzhnyi tha gjithashtu se trupat ruse mund të kenë sukses në marrjen e kontrollit të qytetit, Avdiivka në veri të Donetskut, brenda dy-tre muajve.
Ukraina ka luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga 24 shkurt 2022, kur forcat ruse pushtuan territorin ukrainas në fronte të shumta.
Moska që atëherë ka aneksuar katër territore në lindje dhe jug të Ukrainës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Luftimet janë ende të përqendruara rreth lindjes dhe jugut.
Forcat ukrainase nisën një kundërofensivë në fillim të këtij viti, por avancimi ka ngecur. Kievi është zotuar të rimarrë të gjithë tokën e pushtuar nga Rusia, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Kremlini e aneksoi në vitin 2014.//a.i/























