Ballina Flash

Kurti pret Rita Orën: Ka nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe

PRISHTINË, 27 nëntor/ATSH/-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora.

I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri.

Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të.

Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës.

U trajtuan dhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme.

Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.

“Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe. Ishte nder ta prisja atë dhe Taika Waititi sot në datëlindjen e saj. Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit”, shkruan Kurti në X krahas videos së publikuar nga takimi.

Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.

Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Treni i festave të Nëntorit me fëmijët e Tiranës
Artikulli tjetërHasani merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s