TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot se në kuadër të operacioneve policore “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli” janë arrestuar 40 persona në 48 orë.
Balla theksoi se, “lufta kundër krimit po intensifikohet çdo ditë, me rezultate të mirëpritura, duke hyrë në një fazë tjetër kontrollesh dhe reagimesh parandaluese në mënyrë të dedikuar ndaj të gjithë ata që janë një bezdi për komunitetet, ata që shpërndajnë lëndë narkotike, ata që thyejnë me arrogancë ligjin duke mbajtur armë pa leje, ata që janë në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, ata që përfshihen në vjedhje, etj.”
Ministri Balla përgëzoi Policinë e Shtetit në Tiranë, Durrës, Librazhd, Berat, Dibër, Lushnjë, Sarandë, Shkodër dhe Gjirokastër për këto rezultate.
“Rezultate të tjera sistematike presim në ditët në vijim, për të garantuar sundimin e plotë të ligjit në gjithë territorin e vendit”, nënvizoi Balla.























