TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të vjedhjes së shtëpive në Europë.
Në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Durrës, Rama u shpreh se “mbaj mend fushatën e 2013-ës, kudo, në çdo vend njerëzit thoshin ‘aman vetëm na hiqni krimin, kriminelët, se na mbytën’. Të të gjitha niveleve. Që nga ata me kthetra të gjata, deri tek hajdutët e pulave”.
“Nuk e them unë këtë, nuk e themi ne, Shqipëria, është vendi me numrin më të ulët të vjedhjes së shtëpive në Europë, në të gjithë Europën”, tha Rama.
“Nga ana tjetër, – shtoi kryeministri, – këtë vit kemi një rënie drastike të numrit të vrasjeve, që çdo vit kanë qenë më pak, por krahasuar këtë vit me vitin e kaluar, janë më shumë se gjysma.”
Rama u shpreh se siguria vlerësohet shumë edhe nga turistët që vizitojnë vendin tonë.
“Gjëja që e dëgjon nga të gjithë ata që vijnë turistë në Shqipëri është siguria. Siguria që do bëhet një mall gjithmonë e më i shtrenjtë në Europë. Ku sot të vjen të habitesh, por është shumë e thjeshtë dhe ndodh shumë shpesh që vijnë të huajt këtu dhe thonë, vjen natën dhe nuk ke asnjë ndjesi pasigurie. Dilni njëherë natën, ku të duash”, tha Rama.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne, por sigurisht që ka edhe më mirë, ka edhe më shumë”, theksoi kryeministri Rama.
/r.e/























