Ballina Bota

BM – Miratohet deklarata e parë në botë për sigurinë e IA-së

LONDËR, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Një deklaratë, e para në botë, mbi rreziqet rreth inteligjencës artificiale është rënë dakord përpara një samiti historik për sigurinë e IA-së, tha sot ministrja britanike e Shtetit për Shkencën, Inovacionin dhe Teknologjinë, Michelle Donelan.

Donelan tha se delegacionet nga e gjithë bota që morën pjesë në samit kishin rënë dakord për deklaratën mbi sigurinë e IA-së, si pikënisje për një diskutim global mbi këtë çështje.

Duke folur në hapjen e samitit në Bletchley Park, në Londrës, Donelan tha se marrëveshja ishte një arritje historike dhe se ajo hedh themelet për diskutimet e sotme.

“Deklarata konfirmon nevojën për të adresuar këto rreziqe pasi ato janë mënyra e vetme për të hapur mundësitë e jashtëzakonshme”, tha ajo.

Samiti i sigurisë së IA-së do të zhvillohet sot dhe nesër, me përfaqësues nga SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Singapori dhe Kina të konfirmuara si të pranishëm.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe presidenti francez, Emmanuel Macron nuk do të jenë te pranishëm në samit.

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris do të përfaqësojë SHBA-në në samit në vend të Biden dhe presidentja e komisionit të BE-së Ursula von der Leyen do të flasë në emër të bllokut.

Elon Musk, CEO i Tesla-s dhe pronar i faqes së medias sociale X, dikur Twitter, do të marrë pjesë gjithashtu dhe do t’i bashkohet kryeministrit të Britanisë së Madhe për një intervistë të drejtpërdrejtë pas mbylljes së samitit të enjten.

Musk, një bashkëthemelues i “OpenAI”, kompania që qëndron pas mjetit popullor ChatGPT ka shprehur më parë shqetësime për mundësinë që IA-ja mund të bëhet armiqësore ndaj njerëzve.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMete: Parashikojmë ulje të borxhit publik nën nivelin 60%, tregues i financave publike të forta
Artikulli tjetërFOKUS – Rreth 300 shtetas të huaj dhe palestinezë me shtetësi të dyfishtë largohen nga Rripi i Gazës