Ballina Bota

FOKUS – Rreth 300 shtetas të huaj dhe palestinezë me shtetësi të dyfishtë largohen nga Rripi i Gazës

KAJRO, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Një grup prej 285 shtetasish të huaj dhe palestinezë me shtetësi të dyfishtë janë larguar nga Rripi i Gazës dhe kanë hyrë në Egjipt, tha sot Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane.

Raed Abdel-Nasser, sekretari i përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane në Sinain e Veriut, tha se grupi është pjesë e 525 personave që janë planifikuar të largohen sot nga Gaza përmes vendkalimit tokësor Rafah.

Kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit që një grup ndërkombëtar ka mundur të largohet nga territori palestinez i shkatërruar nga lufta.

Palestinezët e parë të plagosur u lejuan gjithashtu të largoheshin sot për të marrë trajtim.

Izraeli mbylli Rripin e Gazës dhe filloi të godasë territorin e dendur të populluar me sulme ajrore pasi luftëtarët e Hamasit kryen një sulm terrorist ndaj komuniteteve izraelite më 7 tetor që shkaktoi vdekjen e mbi 1 400 personave.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 8 796 banorë ishin vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës dhe 22 219 ishin plagosur.

Që kur organizata militante islamike Hamas mori me dhunë kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007, Izraeli ka shtrënguar masat për një bllokadë të zonës bregdetare, të mbështetur nga Egjipti.

Qeveria në Kajro është gjithashtu e shqetësuar se një numër i madh refugjatësh palestinezë mund të hyjnë në Egjipt nëpërmjet Rafahut. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Miratohet deklarata e parë në botë për sigurinë e IA-së
Artikulli tjetërSTUDIM – Macet kanë afro 300 shprehje të ndryshme të fytyrës