TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha kanë depozituar sot në kryesekretarinë e GJKKO kërkesën ku kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi për ish-kryeministrin në çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se, “në kryesekretarinë e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale”.
“Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhrit të gatishmërisë të zv.kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj”, thuhet në njoftimin e GJKKO.
/r.e/























