TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Deputetët e opozitës nuk kanë lejuar fillimin normal të punimeve të seancës plenare të Kuvendit, pasi kanë bllokuar vendet ku ulen ministrat dhe kryetarja e Kuvendit.
Ky reagim i deputetëve të opozitës vjen pasi sipas tyre, mazhoranca socialiste nuk ka lejuar ngritjen e komisioneve hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Gjithashtu, sipas tyre, prej 2 muajsh, edhe pse mazhoranca ka njohur vullnetin e shumicës së deputetëve për kryetarin e grupit parlamentar të PD, që sipas rregullores së Parlamentit zgjidhet nga vetë deputetët, vijon të lexojë seancë pas seance shkresa të firmosura nga kreu i PD, Lulzim Basha.
Kjo sjellje e Kryetares së Kuvendit është konsideruar si provokim nga ana e deputetëve të PD, që duket se sot kanë vendosur të mos lejojnë vijim normal të punës në Parlament.
/r.e/























