Ballina Aktualitet

Bllokimi i seancës, Spiropali: Dëshmi e dëshirës së papërmbajtur për pushtet pa votë

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj bllokimit të seancës plenare të Kuvendit nga deputetë të “Rithemelimit” dhe deklaratave të Berishës për nisjen e qëndresës.

“Pasi iu sulën me revan e yrysh, me kazma e qysqi shtëpisë së tyre, sot aradha e mbetur e opozitës pa kokë, tentoi pushtimin e sallës së Kuvendit, asaj që duhej të ishte shtëpia e popullit”, u shpreh Spiropali në rrjetet sociale.
“Zunë karriget në tryezën e qeverisë, si dëshmi e dëshirës së papërmbajtur për pushtet pa votë, dhe folën nga errësira me fjalë të zeza. Për çudi ekstremet puqen: si Biri ashtu dhe Ati. Dje, mbas çdo humbjeje, Luli thoshte: Beteja sapo ka filluar. Sot Saliu, i humbur pa filluar ende, thotë: tani nisi qëndresa! Aferim e Selam në udhën e qorrollepsjes në terr!”, deklaroi ajo.
Deputetët e opozitës bllokuan paraditen e sotme ulëset e ministrave dhe të kryetares së Kuvendit ndërsa pritej nisja e seancës plenare. Në pamundësi për nisjen e punimeve, nënkryetarja Felaj shtyu seancën.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinatorë e pensionistë, protestë para Kuvendit
Artikulli tjetërKuvend, “Rithemelimi” bllokon nisjen e seancës