Ballina Aktualitet

Rrumbullaku takime në SHBA, bashkëpunim i mirë mes Policisë dhe ICITAP

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Drejtori i Programit Ndërkombëtar të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Kriminale (ICITAP) Gregory Ducot, garantoi se bashkëpunimi me Policinë shqiptare do të forcohet edhe më tej.

Kreu i ICITAP këtë e artikuloi gjatë një takimi me kreun e Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, në Kaliforni, SHBA, ku ndër të tjera e përgëzoi Policinë shqiptare për rezultatet e arritura në operacionet e fundit dhe për partneritetin me ICITAP-in.

Policia e Shtetit përmes një njoftimi për mediat, bën të ditur se “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në vazhdën e takimeve të zhvilluara gjatë ditëve të Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, është takuar edhe me me drejtorin e ICITAP-it,  Gregory Ducot, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, bashkëpunim ky i ndërtuar dhe i forcuar mbi baza të shëndosha të besimit reciprok”.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e ka njohur drejtorin e ICITAP-it, Gregory Ducot, me reformat në Policinë e Shtetit, që kishin për qëllim përmirësimin e organizimit strukturor, menaxhimit optimal të burimeve njerëzore dhe përshtatjes së këtyre strukturave me institucionet e reja të drejtësisë dhe ndjekjes penale.

Drejtori i Përgjithshëm e informoi Dukot, për prioritetet strategjike të Policisë së Shtetit, të cilat erdhën si rezultat i një analize të thelluar dhe një vlerësimi të detajuar të kërcënimeve kriminale, si dhe për operacionet e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm në të gjithë Shqipërinë, të cilët u finalizuan me goditjen e grupeve të strukturuara kriminale të trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve dhe rrjedhimisht me arrestimin e një numri të madh autorësh dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, armëve dhe prova të tjera materiale”, vijon njoftimi.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e siguroi Ducot se rezultatet e kohëve të fundit janë kontribut edhe i asistencës së ofruar nga agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, të cilat kanë mbështetur në vijimësi strukturat e Policisë së Shtetit, për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike”, njofton Policia e Shtetit.

“Nga ana e tij, Dukot u shpreh se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e operacioneve në Shqipëri, për të cilat është informuar nga zyra e ICITAP-it në Tiranë, si dhe përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm për rezultatet dhe veçanërisht për bashkëpunimin efektiv ndërmjet Policisë së Shtetit dhe organeve të Prokurorisë. Ai vlerësoi se partneriteti ndërmjet ICITAP-it dhe Policisë shqiptare është nga më të hershmit në rajon dhe siguroi se mbështetja për Policinë e Shtetit, do të vijojë pa kursim, qoftë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe atyre logjistike”, përfundon  njoftimi i Policisë së Shtetit.

Kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ndodhet për një vizitë në SHBA, ku ka zhvilluar një sër takimesh me drejues të institucioneve ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak20-vjetori i shpalljes së Nënë Terezës “të lumturuar” nga Papa Gjon Pali II
Artikulli tjetërBalla: Trajtim i duhur financiar për policët, pagesë për çdo orë jashtë orarit