TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi dy marrëveshje, atë me Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe atë me KfW për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri – faza II”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Mucaj u shpreh se projektligjet janë vazhdimi i angazhimit të qeverisë shqiptare për të finalizuar reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri, duke monitoruar zbatimin e reformës së politikave, sipas plotësimit të elementeve (PRE) të përcaktuara në udhërrëfyesin e reformës së sektorit të energjisë.
“Përmbushja e planit strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri ka për qëllim të përdoret si një mjet për të krijuar një rrugë të qartë për reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri”, tha ajo.
Relatori i çështjes, deputeti Fadil Nasufi, tha se vazhdimësia e këtyre dy marrëveshjeve ka të bëjë me politikat për mbështetjen e reformës në sektorin energjitik në Shqipëri, bazuar në memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, KfW dhe Agjencisë Franceze të vitit 2028, në vijim të mbështetjes së reformës së sektorin e energjisë elektrike për fazën e dytë.
/r.e/

























