TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kancelari gjerman, Olaf Scholz e cilësoi gabim që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë anëtarësuar në BE, 20 vjet pas takimit në Selanik, teksa theksoi se, anëtarësimi duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet sot në Tiranë, i pyetur mbi deklaratën e Presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel se, viti i anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte 2030, Scholz u shpreh se, “jam i bindur se është gabim që pasi u takuam në Selanik 20 vjet më parë, nuk kemi arritur deri tani anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Duhet të ishte bërë tashmë, dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë kaq intensivisht për ta bërë këtë të dukshme dhe duke punuar për të”.
“Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, për shkak se çështja është në tryezë, dhe të gjithë bashkë të kemi të njëjtin këndvështrim, Presidenti i Këshillit dhe Komisionet e shteteve anëtare, në fund të fundit është një meritë, por kjo nuk është e njëjta gjë, ne po punojmë shumë për ta realizuar atë, dhe shtetet të mund të bëjnë hapat e nevojshëm që mund të themi se tani mund të bashkohen. Sipas mendimit tim, kjo duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe të mos zgjasë përsëri si në të kaluarën”, u shpreh Scholz.
“E përsëris atë që thashë në fillim, nëse u jepni vendeve idenë se mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, atëherë ekziston një ëndërr evropiane në këto vende. Duhet të punojmë shumë që kjo të ndodh dhe 20 vjet ishin shumë. Tani jemi në atë situatë që duhet të nxitojmë për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Scholz.























